Rafuna: Pakoja e qeverisë e mirëseardhur, po nuk është e mjaftueshme

Rafuna: Pakoja e qeverisë e mirëseardhur, po nuk është e mjaftueshme

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, vlerësoi se Pakoja e inflacionit nga qeveria e Kosovës, është e mirëseardhur, po nuk është e mjaftueshme për bizneset.
“Pakoja e qeverisë, nuk është e mjaftueshme, ne importojmë inflacion për shkak se prodhojmë pak. Besoj se qeveria do të mendojë edhe për dizajnim të pakos së re, e cila duhet të adresoj problemet që kanë bizneset. Ne duhet të ulemi me qeverinë dhe të diskutojmë për sfidat e biznesit që ta kalojmë periudhën e dimrit sa më lehtë”, tha ai për emisionin”Aktual”, për RTK.
Sipas tij, bizneset kërkojnë një pako të re që do të ndikonte në zhvillim ekonomik dhe përkrahje direkte ndaj komunitetit të biznesit në Kosovë.
Rafuna tha se edhe problemet me energji elektrike po ndikojnë në humbje të mëdha tek bizneset.
“Është kosto e lartë e biznesit, ndërprerje që kishim ditë më parë të rrymës pa paralajmërim ndikoi negativisht tek biznesi, po ashtu ne kërkojmë që shtrenjtimin e rrymës për bizneset ta mbulojë qeveria, ka raste të tilla p.sh në Bullgari, ku qeveria po subvencionon bizneset sa i përket energjisë elektrike”, deklaroi ai.
I pari i OEK-ut, tha se edhe mungesa e punëtorëve në vend ka bërë që bizneset të kenë probleme të mëdha në funksionimin e veprimtarisë së tyre. Publikuar më 12.09.2022