Më shumë zgjedhje: Politikat e përgjegjshme gjinore për familjen për sektorin privat

Më shumë zgjedhje: Politikat e përgjegjshme gjinore për familjen për sektorin privat

Oda Ekonomike e Kosovës në kuadër të projektit “Më shumë zgjedhje: Politikat e përgjegjshme gjinore për familjen për sektorin privat” në bashkëpunim me Fondin për Popullsi të Kombeve të Bashkuara(UNFPA)  dhe mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim mbajti konferencën e titulluar “Politikat miqësore për familjen dhe ndikimi i tyre në zhvillimin ekonomik dhe social”.

Pjesëmarrës në konferencë ishin Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë znj. Rozeta Hajdari, Shefja e Agjencisë Austriake për Zhvillim znj. Sandra Horina, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës,  z.Berat Rukiqi dhe një mori përfaqësuesish të tjerë institucional nga niveli lokal dhe qendror, përfaqësues nga organizata ndërkombëtare, kompani private, përfaqësues nga shoqëria civile dhe ekspertë, të cilët u angazhuan në diskutimin shumë përmbajtësor ku u theksua nevoja për reforma të mëtejshme legjislative dhe të politikave për të krijuar vende të punës miqësore për familjen dhe për të ndikuar në balancin punë-jetë. Pas fjalëve hyrëse dhe prezantimeve, konferenca vazhdoi me dy diskutime shumë përmbajtësore në panel. Paneli i parë trajtoi hendekun e shkathtësive, ‘ikjen e trurit’ dhe sfida tjera dhe si ndikojnë ato në zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa paneli i dytë trajtoi vendet e punës miqësore me familjen si zgjidhje e problemeve . Në këtë panel u shkëmbyen storiet e suksesit mes kompanive kampione ndërkombëtare dhe vendore të cilat janë në procesin e pilotimit të modeleve të vendeve të punës miqësorë me familjen si dhe u u prezantuan përditësimet rreth ligjit të ri të punës, procesi i draftimit dhe ndikimi potencial në sektorin privat. Kompanitë nga Kosova të cilat i janë përkushtuar kësaj iniciative janë: Gjirafa, Kivo, Cacttus, Raiffeisen Bank, Kosbit, Super Viva dhe Art House.

Ajo që u dëshmua është se sektori privat ka shumë shembuj model dhe inspirues se si vendet e punës miqësore me familjen dhe implementimimi i politikave miqësore krijojnë vende stabile të punës dhe mundësojnë tejkalimin e shumë sfidave me të cilat ballafaqohet sektori privat.  Gjithashtu, u theksua se fuqia punëtore është aset dhe si e tillë duhet të trajtohet. Në anën tjetër është e rëndësishme që sistemi arsimor të reagojë në mënyrë më proaktive për të ndikuar në zvogëlimin e  hendekut e shkathtësive, pjesë në të cilën edhe sektori privat ka rol të rëndësishëm dhe duhet të konsiderohet një ndër akterët kyç i cili dikton trendet e tregut të punës dhe kah duhet të orientohet sistemi arsimor. Natyrisht, u theksua edhe nevoja që paralelisht të punohet në politikat qeveritare që mbështesin sektorin privat dhe krijimin  politikave miqësore për familjen.

Objektiva kryesore e projektit të përbashkët të Odës Ekonomike të Kosovës me Fondin për Popullsi të Kombeve të Bashkuara është të krijohet një kuptim i përgjithshëm i politikave miqësore për familjen dhe angazhimi i sektorit privat si pionierët kryesorë të ndryshimit në funksion të avokimit, promovimit dhe implementimit të këtyre politikave.  

ImageImageImageImage

 

Publikuar më 04.07.2022