
Prezantohet kategoria e re e çmimeve “Vende Pune Miqësore për Familjen”
Prezantohet kategoria e re e çmimeve “Vende Pune Miqësore për Familjen”
Oda Ekonomike e Kosovës në kuadër të projektit “Më shumë zgjedhje përmes politikave miqësore për familjen” ka hyrë në partneritet me Fondin për Popullsi të Kombeve të Bashkuara (UNFPA) dhe Rrjetin e Grave të Kosovës, mbështetur financiarisht nga Agjencia Austriake për Zhvillim. Objektiva kryesore e këtij projekti të përbashkët është të krijohet një kuptim i përgjithshëm i politikave miqësore për familjen dhe të angazhohen kompanitë e sektorit privat si pionieret kryesorë të ndryshimit në funksion të avokimit, promovimit dhe implementimit të këtyre politikave. Kompanitë kampione të cilat janë në procesin e pilotimit të modeleve të vendeve të punës miqësore me familjen janë: Gjirafa, Kivo, Cacttus, Raiffeisen Bank, Kosbit, Super Viva dhe Art House. Si rezultat i këtij bashkëpunimi dhe rëndësisë që kanë vendet e punës miqësore për familjen, Oda Ekonomike e Kosovës, në Gala Mbrëmjen e përvitshme, ka prezantuar kategorinë e re të çmimeve titulluar “Vende Pune Miqësore për Familjen”
Në këtë Gala Mbrëmje, tashmë tradicionale, të mbajtur me datë 18 shkurt 2022 janë shpërblyer bizneset më të suksesshme që kontribuojnë në mirëqenien e qytetarëve të vendit. Këtë vit, krahas shpërblimeve për Tatimpaguesit, Eksportuesit dhe Punëdhënësit për vitin 2021 është prezantuar kategoria e cmimeve “Vende Pune Miqësore për Familjen”. Me çmime u shpërblyen tre nga shtatë kompanitë kampione: Cacttus, Gjirafa dhe Kivo.
Përkushtimi i kompanive në implementimin e politikave miqësore dëshmon se sektori privat ka kuptuar rëndësinë e ndërlidhjes mes vendeve stabile të punës dhe krijimit të kushteve për familje të shëndetshme, sepse të punësuarit janë shtyllë e rëndësishme për funksionimin e kompanisë dhe mirëqenia e tyre është parakusht për zhvillim dhe qëndrueshmëri.
Mes tjerash, Oda Ekonomike e Kosovës ka ndarë mirënjohje për Fondin për Popullsi të Kombeve të Bashkuara dhe Rrjetin e Grave të Kosovës, duke vlerësuar lartë kontributin e tyre në promovimin e politikave miqësore për familjen dhe falenderuar për bashkëpunimin e deritanishëm. Mirënjohjet u pranuan nga Dr. Visare Mujko Nimani, Udhëheqëse e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë dhe Adelina Tërshani, Koordinatore e Projektit në RrGK. #ExpandingChoices #FamilyPolicies #MëShumëZgjedhje #PolitikatFamiljare

