Oda Ekonomike e Kosoves

Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Post Type Selectors

Oct 5, 2023

HISTORIKU

Me qëllim të koordinimit më të mirë të punëve, si edhe të funksionimit më të lehtë të relacioneve ndërmjet shtetit dhe ekonomisë, në vitin 1961 nxirret ligji për themelimin e Odës Ekonomike , e cila në fakt paraqet vetëm bashkimin e odave që deri atëherë funksiononin si të pavarura.

Që nga atëherë oda paraqitet si subjekt i rëndësishëm ekonomik, e cila me kohë ka pësuar edhe transformime të ndryshme.  Fillimisht ajo ishte e organizuar nëpër shoqata dhe këshilla koordinues. Ato  bashkonin subjektet ekonomike brenda një dege të caktuar.  Sipas statutit, të zgjedhurit nga shoqatat përbënin kuvendin e odës, ku zgjidhej aparati drejtues.

Anëtarët brenda shoqatave trajtonin problemet që ndërlidheshin me degët e caktuara, analizonin realizimin e planeve vjetore dhe atyre pesëvjeçare, kujdeseshin për përmbushjen e  objektivave të caktuar për eksport,  analizonin idetë për ndërtimin e objekteve të reja  dhe mundësitë për financimin e  tyre.  Megjithatë, financimi nuk ishte përgjegjësi e shoqatës, apo  e odës ekonomike.

Kthesat më të rëndësishëm ndodhin pas vitit 1966, kur në tërë ex- YU ndodhin ndryshime të mëdha politiko-shoqërore. Këtu fillon faza e hershme e zhvillimit të hovshëm industrial, përkatësisht e ngritjes së objekteve të rëndësishme, të cilat edhe sot ekzistojnë, ndonëse një pjesë e madhe e tyre është jashtë funksionit.  

Në vitin 1964 ngritet edhe blloku i dytë i termocentralit “Kosova A” me fuqi  prej 125 megavatësh, gjashtë vjet më vonë,  përkatësisht në vitin 1970  Kosova fiton edhe një bllok prej  200 megavatësh, më 1971 edhe një tjetër me fuqi të njejtë, kurse në vitin 1975 nisë prodhimin blloku  i pestë  me 210 megavat. Saktësisht këtë vit Kosova fiton rëndësi  në fushën e energjetikës, meqenëse  termocentralet e saja kishin fuqia prodhuese  800 megavat.

Në këtë kohë nisë procesi për shkëputjen e sistemit energjetik të Kosovës nga ai i Serbisë.  Kontributin më të madh në këtë procesi e ka dhënë  Oda Ekonomike e Kosovës. Rezultat i këtij angazhimi u krijua “Elektroekonomia e Kosovës”, si subjekt i pavarur, themelues i së cilës ishte Kuvendi i Kosovës.

 

Në këtë kohë nisë procesi për shkëputjen e sistemit energjetik të Kosovës nga ai i Serbisë.  Kontributin më të madh në këtë procesi e ka dhënë  Oda Ekonomike e Kosovës. Rezultat i këtij angazhimi u krijua “Elektroekonomia e Kosovës”, si subjekt i pavarur, themelues i së cilës ishte Kuvendi i Kosovës.

Në fund të qershorit të vitit 1991 nga Oda Ekonomike përjashtohen edhe 33 punëtorë shqiptarë. Këtu iu vu pikë pastrimit etnik të këtij asociacioni. Në fakt, në punë kishin mbetur edhe një numër i vogël i punëtorëve shqiptarë, por asnjëri prej tyre nuk bënte pjesë në strukturat  drejtuese të saj.  Sa për formalitet, në Këshillin Drejtues ishin dy shqiptarë.

Në këto vite veç kishte filluar të funksiononte sindikata e pavarur e punëtorëve të bashkësisë punuese të OEK-ut, e cila më vonë doli të ishte promotore e ideve që qojnë kah themelimi i odës paralele.

Në dhjetor të vitit 1992, pas disa konsultimeve në nivel të ekspertëve kjo sindikatë mori vendimin për themelimin e shoqatës afariste të sektorit privat të ekonomisë së Kosovës. Këshilli nismëtar, kishte formuar disa grupe punuese, të cilat kanë pasur për detyrë që të kontaktojnë me subjektet ekonomike të asaj kohe, me qëllim të anëtarësimit dhe themelimit të këtij institucioni. Më vonë ky këshill vendos që të ndryshojë emërtimi, ashtu që  asociacioni i ardhshëm të quhej Shoqata e Afaristëve të Kosovës.

I tërë ky aktivitet zhvillohej nën masat e ashpra të represionit dhe të ndjekjes.  Takimet kryesisht mbaheshin nëpër lokalet e ndërmarrjeve private. Në Prishtinë  vendim i takimit ishte ndërmarrja “Toni”, ndërsa në qytete e tjera të Kosovës takimet organizoheshin varësisht nga rrethanat.

Nismëtarët për formimin e kësaj shoqate ishin në shënjestër të pushtetit  dhe për disa herë ata ishin arrestuar dhe torturuar. Kjo mund të ketë qenë edhe arsyeja pse zbehet aktiviteti i tyre.

Mirëpo, lindë iniciativa e re- ajo për formimin e Odës Ekonomike të Kosovës.  Këshilli Nismëtar për një kohë të shkurtër zhvillon  aktivitet të dendur  dhe merr pajtimin e subjekteve ekonomike për formimin e këtij institucioni. Në ndërkohë, saktësisht më 14.10.1993 Qeveria e Kosovës nxjerr dekretin  Nr. 01/25 D,  me të cilin formohet Oda Ekonomike e Kosovës.

“Oda Ekonomike e Kosovës  themelohet si asociacion i subjekteve ekonomike të Kosovës”, thuhet në nenin  1 të këtij dekreti.

Neni 3 : “ Veprimtaria e Odës Ekonomike të Kosovës mbështetet  në dispozitat e Kushtetutës së Kosovës, të Ligjit mbi  Odën Ekonomike të Kosovës si dhe të akteve të miratuara nga organet e Odës”. Dekreti është nënshkruar nga dr. Bujar Bukoshi, kryetar i Qeverisë. 

Më 31 mars të vitit 1994 në lokalet e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë ( Qendra Tregtare afër Shkollës së Mesme Teknike), mbahet kuvendi themelues, ku ishin të pranishëm 32 delegatë nga të gjitha qytetet e Kosovës. Në rendin e ditës ishin paraparë 6 pika.  Raportin e punës dhe aktivitetin e zhvilluar e paraqiti dr. Ali Jakupi, kryetar i Këshillit Nismëtar, ndërsa mbledhjen e udhëhoqi Ismajl Hyseni, delegat nga Ferizaj.

Në këtë Kuvend, kryetar u zgjodh Ismajl Kastrati, sekretar Sylejman Ahmeti, si edhe Këshilli Drejtues, në të cilin ishin: Mustafë Ibrahimi (Prishtinë), Dr. Agron Dida (Prishtinë), Shefqet Muharremi (Mitrovicë), Hamdi Qerimi (Ferizaj),  Jahja Lluka (Pejë), Lulzim Sadriu (Gjakovë), Ali Rizanaj (Prizren),  Selami Latifi (Gjilan), Muhamet Shala (Suharekë), Nysret Pllana (Prishtinë)  dhe Ismajl Kastrati ( Prishtinë) 

Mbledhja e parë e  Këshillit Drejtues u mbajt më 6 prill 1994 në lokalet e kompanisë “Letplast”, e cila gjindej në objektin e ish-Bankës së Lublanës. Kryetar i këtij këshilli u zgjodh Mustafë Ibrahimi, ekonomist. Poashtu, të gjithë anëtarët e Këshilli Drejtues u obliguan që në rajonet prej nga vijnë të bëjnë regjistrimin e ndërmarrjeve. Në këtë takim u shqyrtua mundësia për formimin e Gjykatës së  Nderit  dhe të Arbitrazhit dhe  zgjedhjes së anëtarëve të tyre. Kryetari i Odës  ka njoftuar për dërgimin e një përfaqësuesi të saj në Shqipëri.

Këtu u kërkua që për mbledhjen e ardhshme  të jetë gati Rregullorja e Punës së Këshillit Drejtues; Autorizohet kryetari për gjetjen e një lokali dhe grumbullimin e ofertave për blerjen e pajimeve për zyrë dhe të punohen vulat – e rrumbullakët dhe katrore.

Mbledhja e dytë e Këshillit Drejtues ishte më përbajtësore. Ajo u mbajt më 20 prill 1994 , në të njetin vënd ku ishte mbajtur edhe e para. Në këtë mbledhje themelohet Gjyqin i Nderit, që kishte pesë anëtarë. Kryetar u zgjodh Ramadani Veliqi, kurse zëvendës i tij , dr. Bardhyl Qaushi. Poashtu u zgjodh kryesia e arbitrazhit, e përbërë nga shtatë anëtarësh. Në këtë takim,  OEK-u për herë të parë merret  edhe me problemet që kanë anëtarët e saj. 

Mbledhja e tretë e Këshillit Drejtues u mbajt më 6 maj 1994, në lokalet e Bankës së Lublanës. Në këtë mbledhje u miratua rregullorja e punës, me disa ndryshime që duhej të inkorporoheshin më vonë. Poashtu u bënë disa ndryshime në organizmin e Gjyqit të Nderit, ky kryetar i tij u zgjodh dr. Ali Jakupi, kurse sekretar Ramadan Veliqi. Sylejman Ahmeti- 2 vjet e gjashtë muaj dhe Mustafë Ibrahimi- 2 vjet burg. Derisa vendimi të merr formën përfundimtare, atyre u ishte hequr masa e paraburgimit dhe i’u mundësua mbrojtja në liri. Për shkak të zhvillimeve të atëhershme, që të tre udhëheqësit e OEK-ut kurrë më nuk u kthyen në burg, ashtu që të mbajnë pjesën e mbetur të dënimit. Por, më nuk funksionoi as Oda Ekonomike e Kosovës. 

Kah fundi i vitit 1997, kur veç u paraqitën shenjat e luftës në Kosovë themelohet Shoqata e Afaristëve të Kosovës, e cila kishte një strukturë tjetër të anëtarëve, krahasuar me OEK-un.  Për shkak të pamundësisë së angazhimit në teren dhe rrethanave të rënda për qarkullim, ajo shuhet me rritjen e intensitetit të luftimeve. Kjo shoqata kishte nxjerrë pesë numra të revistës “Afaristi”.    

Nga evidenca e sindikatave del se pas vitit 1989 nga puna ishin dëbuar 120 mijë punëtorë shqiptarë, ndërsa janë punësuar 50 mijë serbë, një numër i madh i të cilëve kishte ardhur nga viset e ndryshme të Jugoslavisë, e cila atëherë ishte e përfshirë në luftë. 

Sipas të dhënave të saja kohe, për shkak të kolapsit  financiar të shkaktuar nga ndërhyrjet e Serbisë, në vitin 1990 më se 1200 subjekte ekonomike ishin josloventë, ndërsa fletëparaqitje për falimentim kishin 500 subjekte ekonomike me 60 mijë punëtorë.

PERIUDHA E PASLUFTËS

( 1999- 2010)

Ndonëse jo me kapacitet të plotë, OEK filloi punën qysh në ditët e para të pasluftës. Në mungesë të legjislacionit, puna filloj në bazë të një vullneti të mirë dhe dëshirës që ajo të bashkoj  subjektet ekonomike dhe të përfaqësoj interesat e tyre.

Mbledhja e parë e  Kuvendit është mbajtur në dhjetor të vitit 1999. Aty  është marrë vendimi për zgjatjen e mandatit të kryetarit  deri në zgjedhjet e ardhshme të rregullta, bëhen  ndryshimet dhe plotësimet e nevojshme të Statutit,  bëhet kooptimi i delegateve të rinj nga sektori i ndërmarrjeve shoqërore dhe publike.

Struktura organizative ishte e trashëguar. Oda kishte Kuvendin, Këshillin Drejtues, këshillat dhe shoqatat. Risi ishte themelimi i gjashtë odave rajonale.

Këshillat:

Këshilli për marrëdhënie me botën e jashtme
Këshilli për investime dhe zhvillim
Këshilli për çështje sistemore, informatikë dhe organizim.

Shoqatat:

  • Shoqata për energjetikë dhe industri ekstraktive
  • Shoqata për industri metal përpunuese
  • Shoqata për industrinë e tekstilit dhe të lëkurë-këpucëve
  • Shoqata për pylltari, industrinë e përpunimit të drurit, letrës dhe veprimtarisë grafike
  • Shoqata për bujqësi, industri ushqimore, duhanit dhe hidroekonomisë
  • Shoqata për ndërtimtari IMN dhe ekonomi komunale-banesore
  • Shoqata për komunikacion, lidhje dhe ekonomi rrugore
  • Shoqata për tregti, hotelieri dhe turizëm
  • Shoqata e bankave dhe e kompanive të sigurimit
  • Shoqata për ekonomi të vogël
  • Shoqata për industrinë e gomës , kimike dhe farmaceutike

Odat rajonale:

  • Mitrovicë
  • Pejë
  • Gjakovë
  • Prizren
  • Ferizaj
  • Gjilan

Me qëllim të ngjeshjes së aktivitetit fillimisht OEK-u jep  propozimin e Ligjit për funksionimin e OEK-ut, i cili nuk është  shqyrtuar e as miratuar. Mirëpo,  ajo nga administrata ndërkombëtare në Kosovë – UNMIK-u, si edhe nga Shtylla e IV, përgjegjëse për ekonomi,  merr disa autorizime për ushtrimin veprimtarisë së saj. Me këtë bëhet  asociacioni i vetëm që mbronë interesat punëdhënësve, përkatësisht të subjekteve ekonomike. Ishte e përfaqësuar në Këshillin Tranzitor të Kosovës, kishte të drejtën për anëtarësimin e subjekteve ekonomike, të kërkoj anëtarësi dhe të lëshoj certifikata për prejardhjen e mallit.    

Në punën  e mekanizmave të OEK-ut kanë qenë çështjet më akute të asaj kohe – si problemet aktuale të ekonomisë; transformimi dhe privatizimi i pronës shtetërore – shoqërore; komercializimi e ndërmarrjeve dhe rrjedha e investimeve. Fillimisht,   insistohej që të mos vonohet funksionalizimi i  sistemit bankar dhe financimi i ekonomisë, kurse ka pasur kundërshtime të vazhdueshme me përmbajtjen e rregullores për doganat dhe tatimin paragjykuar, pasi që kishte shumë të meta.

Për ofrimin e zgjidhjeve, i tërë mekanizmi i OEK-ut ishte i fokusuar në shumë probleme me të cilat është ballafaquar ekonomia.  Ishin  organizuar  konsulta profesionale, seminare dhe forma të tjera të komunikimit për  çështje të rëndësishme ekonomike, si  ato që lidhen me pronësinë, privatizimin, funksionimin e  bankave dhe të sistemeve të mëdha ekonomike, si “Trepça”, KEK-u dhe “Ferronikeli”. 

Në tetor të vitit 2001, si rezultat i bashkëpunimit me UNMIK-un, AER-in dhe USAID-in starton Euro Info Qendra në kuadër të OEK-ut.  Kjo qendër ishte një bazë e të dhënave dhe informatave të domosdoshme për ekonominë.

Në vitin 2002 themelohet Agjencioni Kosovar i Mirëbesimit, e cila administron pronën publike dhe shoqërore.   OEK-ut i ofrohet një bashkëpunim i ngushtë me bordin drejtorëve, por pa të drejtë të vendosjes.  Në këtë kohë  OEK-u është angazhuar të qartësohen  dhe të definohen drejt çështjet që lidhen me pronësinë  shoqërore, ngase zgjidhja e këtij problemi ndihmon transformimin suksesshëm. Reagimi i OEK-ut është shumë më i ashpër pas përkeqësimit të situatës në ekonomi dhe bllokimit të procesit të privatizimit pas dy tenderëve të suksesshëm. Së bashku me përfaqësuesit e 23 kompanive të reja nënshkruhet reagimi publik  për shkak se AKM-ja nuk kishte  përmbushur obligimet e veta, i cili i  dërgohet OKB-së, BE-së, UNMIK-u dhe institucioneve kosovare.

Pastaj, OEK-u bënë kërkesë që për importin e repromaterialet dhe pajisjeve kapitale shkalla doganore të zbritet nga 10 në 2 për qind dhe kërkon që me Gjermaninë të nënshkruhet  marrëveshja për punësimin e punëtorëve të ndërmarrjeve ndërtimore të Kosovës. Pas disa takimeve me  homologët nga Mali i Zi arrin që ky shtet ta heq taksën tranzitore për mallrat që kanë destinim Kosovën dhe kalojnë nëpër këtë shtet.  Si rezultat i angazhimeve  të  OEK-ut  nënshkruhet MTL-ja ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Për qëllime të ngjashme ishin zhvilluar takime edhe me  zyrtarë nga Bosnja, Maqedonia dhe Bullgaria.  

Zhvillime të bujshme ndodhën në vititn 2004 . OEK-u, si partner i dialogut social, së bashku me Qeverinë e Kosovës dhe me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës nënshkruan Kontratën Kolektive. Ndonëse ajo u implementua pjesërisht, megjithatë konsiderohet si një e arritur e madhe drejt definimit të përgjegjësive të punëtorëve, punëdhënësve dhe pushtetit. Me qëllim të përgatitjes së punëmarrësve për zbatimin këtij dokumenti, OEK-u ka  organizuar seminare në tërë Kosovën.

Poashtu, nxirren  propozime konkrete për ndryshimin e politikave fiskale dhe iniciohet transformimi i Autoritet Bankar të Pagesave në Bankë Qendrore të Kosovës, i cili ndodhi vetëm pas pavarësimit të Kosovës. .

Pas trysnisë së vazhdueshme, kryeadministratori i Kosovës  kërkoj nga Organizata Ndërkombëtare e Standardeve- ISO  që të  aprovohet kodi ekzistues për Kosovës “QZ”. ISO i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese. Nënshkruhen një numër i madh i marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe memorandumeve të mirëkuptimit, marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe organizmi i forumeve të biznesit

Në vitin 2005  OEK-u merr formën dhe përmbajtjen e qartë ligjore. Në maj të këtij viti dekretohet Ligji për OEK-un  dhe krijohen kushtet për organizim më të mirë.  Me këtë ligj ajo ruan kontinuitetin  si organizatë kulmore  e shoqatave të biznesit dhe për përfaqësimin e interesave të punëdhënësve, fiton autorizimin për përfaqësimin e punëdhënësve në Dialogun Social në Kosovë, lëshon dokumente për origjinën e mallit, themelon gjykatën e nderit, arbitrazhin, etj. Anëtarësimi bëhen në baza vullnetare.

Ligji e Odën Ekonomike të  Kosovës  e pranon si institucion në shërbim të ekonomisë kosovare, partner i institucioneve shtetërore të Kosovës, partner në dialogun social si dhe promotor i zhvillimit ekonomik dhe politikave të mira makroekonomike.

OEK-u analizon gjendjen ekonomike dhe aktivisht propozon forma të reja dhe të avancuara të biznesit vendor dhe bën ndërkombëtarizimin e ndërmarrësisë kosovare.

Kontribuon në zhvillimin  ndërmarrjeve dhe me profesionalizimin dhe vendosmërinë e saj kontribuon në përafrimin e biznesit kosovar dhe shoqërisë kosovare me vlerat evropiane.

Në vitin 2005, pas miratimit të ligjit bazik mbi OEK-un dhe akteve tjera normative për funksionim të brendshëm,  pas një procesi zgjedhor gjithëpërfshirës, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës u zgjedh Dr. Besim Beqaj i cili udhëhoqi me OEK-un deri në vitin 2010, kur u emërua Ministër në Qeverinë e Republikës të Kosovës. Në këtë periudhë Oda Ekonomike e Kosovës u fokusua në strukturimin e brendshëm profesional për të mundësuar funksionimin e plotë si Odë Ekonomike me anëtarësi vullnetare, sidomos duke rritur numrin e shërbimeve dhe fuqizuar rolin në proceset shtet ndërtuese dhe zhvillimore të vendit.

Në këtë periudhë OEK rriti numrin e anëtarësisë në 15,000 përmes kontratave individuale dhe kontratave për anëtarësi kolektive me shoqatat zejtare të Prishtinës, Prizrenit dhe Pejës. Në këtë periudhë OEK arriti fuqishëm të ndërkombëtarizoj aktivitetin e vet. Vlen të përmenden Partneritetit strategjik me institutin austriak për transfer të dijes WIFI (pjesë e Odës Federale të Austrisë), partneriteti strategjik me GIZ dhe Odën Zejtare dhe të bizneseve të vogla të Dortmundit (HWK Dortmund), bashkëpunim që rezultoi me certifikimin e OEK-ut me standardin ISO 9001:2008 për menaxhim te cilësisë, anëtarësimi në Unionin Ndërkombëtar të Transportit Rrugor (IRU), anëtarësimi në Forumin Ekonomik të Vjenës, partneriteti me USAID-in për forcimin e rolit të shoqatave dhe partneriteti me Komisionin Evropian për edukimin e fuqisë punëtore përmes arsimit profesional.

Gjithashtu pati fuqizim të rolit dhe përfaqësimit të biznesit në aspektin e brendshëm, sidomos përmes avokimit për politikat ekonomike, gjë që rezultoi me reformën substanciale fiskale, përkatësisht zvogëlimin e normave tatimore për bizneset dhe punëmarrësit, si dhe lirimet doganore, veçanërisht për sektorin bujqësor dhe lëndët e para për industrinë përpunuese.

Në aspektin e aktivitetit institucional të brendshëm janë zgjidhur dhjetëra çështje të shoqatave të ndryshme në eliminimin e barrierave të të bërit biznes, shkeljes së Marrëveshjes së CEFTA-s, si dhe ndryshimi i fundit i politikave fiskale, sidomos zgjerimi i i listës së lirimeve doganore për lëndën e I-rë. Rol të rëndësishëm për komunitetin e biznesit në proceset vendimmarrëse është arritur edhe përmes pjesëmarrjes aktive në: Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe Këshillin Ekonomik – Social dhe konsolidimit të plotë të Tribunalit të Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike të Kosovës.

Sot OEK ka rreth 16,000 anëtarë individual dhe të organizuar përmes shoqatave në mënyrë kolektive,  7 njësi rajonale (Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë, si dhe 5 departamente të cilat funksionojnë në kuadër të shërbimit profesional:  departamenti për politika dhe komunikim strategjik; departamenti për shërbime të përgjithshme për anëtarë dhe shoqata; departamenti për administratë, financa dhe teknologji informative; departamenti për arsim profesional dhe menaxhimi i cilësisë;

OEK-u në bazë të ligjit mbi Odën Ekonomike të Kosovës është anëtare e rëndësishme e trupave qeveritare të Republikës së Kosovës , me të vetmin qëllim: përfaqësimin e biznesit kosovar të të gjitha sektoreve. 

Poashtu, OEK-u është anëtare e organizatave më të rëndësishme botërore si : EUROCHAMBRES, International Chamber of Commerce (ICC), IRU Academy, European Association of Institutes for Vocational Training (EVBB), Silk Road Chamber of International Commerce (SRCIC) dhe Chamber Investment Forum (CIF).

Jemi të lumtur që tani festojmë 55 vjetorin e themelimit të Odës Ekonomike të Kosovës, e cila është një dëshmi se ajo ka mbijetuar kohërat e vështira, dhe do të vazhdojë të jetë e pranishme gjithmonë në shërbim të komunitetit të biznesit kosovar.