Mbahet forumi ekonomik në mes të Kosovës dhe Sllovenisë

Mbahet forumi ekonomik në mes të Kosovës dhe Sllovenisë

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) kanë organizuar Forumin Ekonomik Kosovë-Slloveni, në të cilën morën pjesë 40 kompani sllovene të sektorëve të ndryshme. Ky takim është mbajtur për të thelluar bashkëpunimin e bizneseve kosovare me ato sllovene.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se bashkëpunimet e tilla ndërtojnë dhe fuqizojnë të ardhmen e vendit.

“Kemi një forum ekonomik me një shtet mik çfarë është Sllovenia. Është një shtet mik me të cilin po e ndërtojmë dhe po e fuqizojmë të ardhmen. Në aspektin ekonomik Sllovenia nga ish hapësira e Ballkanit Perëndimor me sukses e ka kaluar transpozicionit dhe tani është pjesë e fuqizimit në kuadër të familjes evropiane”.

“Eksportet e Sllovenisë janë afro 30 miliard euro. Në qoftë se bëjmë një analizë në mes Kosovës dhe Sllovenisë kemi shumë më tepër arsye për të avancuar këtë bashkëpunim sepse duhet të ndryshojmë mosbalancim tregtar. Besoj se takime të tilla do të ndikojnë në ndryshim e shifrave”, tha ai

Ante Millovoj, nga Oda Sllovene ka theksuar se biznesi slloven është i interesuar të ndihmojë biznesin kosovar.

Ai tha se modeli profesional slloven duhet të ofrojë zgjidhje edhe në shtetin e Kosovës.

“Është kënaqësi që kemi një shancë me një komunikim të drejtpërdrejt. Jemi të interesuar të heqim mosbilancin në marrëdhënie ekonomike. Dua të veçoj bashkëpunimin për riciklimin e mbetjeve dhe fabrika për pastrimin e tokës. Biznesi slloven është i hapur për iniciativa me Kosovën. Modeli jonë profesional dhe arsimor mund të ofroj zgjedhje të duhur për interes dy palësh” tha ai.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli tha se politika ka kuptim vetëm nëse është e mbështetur nga një ekonomi e shëndoshë, ai shprehu shqetësim për disbalancin tregtar në mes të dyja vendeve.

“Politika ka kuptim vetëm nëse është e  mbështetur nga një ekonomi e shëndoshë. Është shqetësues fakti që 110 milionë euro janë importet në vitin 2017, ndërsa vetëm 1 për qind e asaj janë eksportuar, por ne nuk jemi aspak të nervozuar, ne me kënaqësi i konsumojmë prodhimet sllovene. Inkurajoj bizneset sllovene që ta konsiderojnë tregun kosovarë jo vetëm për të plasu produktet, por edhe për fuqinë punëtore e cila është shumë pro-aktive”, shtoi Pacolli.

Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Karl Erlavec, tha se diplomacia ekonomike është parakusht i zhvillimit të marrëdhënieve të mira politike.

“Mua më duket diplomacia ekonomike si parakusht për marrëdhënie të mira miqësore politike. Unë jam i bindur se marrëdhëniet politike do të thotë se duhet edhe një bazament i duhur për zhvillim ekonomik. Ne kemi mungesë të fuqisë punëtore dhe jam i bindur se me investime në Kosovë mund të hapen firma të reja dhe mund të përdoren kuadrot tuaja dhe kështu mund të bëjmë një sinergji mjaft të mirë”.

“Sllovenia është shtetet më inovativ në Bashkimin Evropian dhe për këtë mund të këmbejmë eksperienca tona me juve. Biznesi slloven është i hapur për iniciativa me Kosovën”, tha Erlavec.

Ai tha se Sllovenia mbetet mbështetëse e madhe e Kosovës në rrugën e saj evropiane.

Më pas u nënshkrua protokolli i Komisionit të Përbashkët Ekonomik në mes Kosovës dhe Sllovenisë.

Guner Ureya, drejtor i departamentit për diplomaci ekonomike në MPJ e Kosovës dhe Alenka Suhadolnik nga MPJ e Sllovenisë, nënshkruan marrëveshjen.

Në forumin e organizuar morën pjesë 150 kompani kosovare dhe 40 sllovene. Aty u paralajmërua edhe mbajtja e një forumi tjetër i cili do të zhvillohet në shtetin slloven.

Publikuar më 13.03.2018