Intervistë e Kryetarit të OEK-ut z.Rafuna për RTK live: Dialogu publiko-privat nuk ka alternativë

Intervistë e Kryetarit të OEK-ut z.Rafuna për RTK live: Dialogu publiko-privat nuk ka alternativë

Lulzim Rafuna, i cili javë më parë është zgjedhur kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka deklaruar se dialogu publiko-privat në Kosovë nuk ka alternativë.

Ai tha se OEK në bazë të ligjit është në shërbim të biznesit dhe do të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës që të kemi më shumë zhvillim ekonomik në vend.

"Ne së bashku me intitucionet e Kosovës do t’u dalim në ndihmë bizneseve. Është koha që oda të riorganizohet dhe të zhvillohet. OEK, në bazë të ligjit për institucionet, është krah i saj", tha Rafuna sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.

Sipas tij, OEK është institucion që i përfaqëson bizneset. "Oda Ekonomike e Kosovës është faktor shumë i rëndsësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit dhe për këtë me ligj është e rregulluar çdo gjë. Brenda ligjit ka edhe shërbime publike duke lëshuar certifikata dhe duke ofruar shërbime për biznese", deklaroi ai.

Rafuna ka folur edhe për remitancat e që, sipas tij, duhet të jenë për zhvillim të ekonomisë së Kosovës.

I pari i OEK-ut tha se Oda Ekonomike e Kosovës nuk do të jetë opozitë e Qeverisë së Kosovës, por do të mundohet që së bashku me të të jetë në shërbim të kordinimit të aktiviteteve për të mirën e bizneseve që veprojnë në Kosovë.

"OEK-u do të jetë partnere e institucioneve të Kosovës. Bizneset e Kosovës nuk janë anti biznese. Dy hallkat biznes-qeveri janë në shërbim të zhvillimit të vendit", pohoi ai.  
  Publikuar më 10.08.2022