Udhëzues për zbatimin e njëjësuar të kumulimit të plotë dhe tërheqjes nga detyrimet doganore midis Palëve të CEFTA-s

Udhëzues për zbatimin e njëjësuar të kumulimit të plotë dhe tërheqjes nga detyrimet doganore midis Palëve të CEFTA-s

I nderuar komunitet i biznesit,

Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me GIZ, në kuadër të bashkëpunimit me qëllim lehtësim të tregtisë mes vendeve të CEFTA-së, do të ndajnë me ju udhëzuesin për zbatimin e njëjësuar të kumulimit të plotë dhe tërheqjes nga detyrimet doganore midis Palëve të CEFTA-së.

Në vitet e fundit, partneri kryesor tregtar i CEFTA-s ka qenë Bashkimi Europian. Në vitin 2013, CEFTA ka realizuar 64% të eksporteve dhe 33% të importeve me BE-në. Në vitin 2015, rreth 70% e eksporteve janë realizuar me vendet e BE-së, ndërsa në importe partnerë të tjerë të rëndësishëm konsiderohen Rusia (8%) dhe Kina (10%). Lidhur me eksportet, vendet e CEFTA-s janë të varura nga tregjet europiane, element i cili nxit për përpjekje të mëtejshme drejt integrimit me Bashkimin Europian. Eksportet e CEFTA-s varen në një shkallë të lartë nga kërkesa agregate e BE-së. Një ndryshim i lehtë në nivelin e PBB-së, të kësaj zone rezulton në një ndryshim të madh në eksportet e CEFTA-së.

Procesi i dytë i rëndësishëm i vendeve në tranzicion lidhet me hapjen ndaj flukseve të kapitalit dhe investimeve të huaja, proces i cili ndihmoi në krijimin e linjave të reja tregtare për industri të veçanta, dhe më tej në rritjen e vëllimit tregtar në rajon. Por çfarë duhet të bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor për të bërë të mundur realizimin e ambicies për një Zonë Ekonomike Rajonale (MAP REA).

Për të arritur këtë, së pari duhet parë si çështje me prioritet zbatimi sa më i shpejtë i marrëveshjes së CEFTA për lehtësimin e tregtisë; së dyti, është e rëndësishme të përfundojnë sa më shpejt – mundësisht para Samitit 2017 në Itali- negociatat e CEFTA për liberalizimin e tregtisë në shërbime. Së treti, është e rëndësishme që palët e CEFTA të bien dakord me masat e mëtejshme që mund të përfshijnë sipas këndvështrimit të BE, harmonizimin e operatorëve ekonomikë kombëtarë të autorizuar, njohjen reciproke të diplomave dhe kualifikimeve profesionale për profesionet e zgjedhura, një rrjet të plotë të marrëveshjeve të kalimit kufitar, për të siguruar implementimin e axhendës së ERP 2016-2018 dhe mbështetje për rritjen e shkëmbimeve B2B.

Angazhimet rajonale dhe këto reforma të ndërmarra synojnë pikërisht orientimin drejt një modeli të ri ekonomik që mbështetet në prodhimin vendas dhe punësimin real. Nëpërmjet rritjes së produktivitetit dhe inovacionit, mbështetur edhe nga potenciali i tregtisë dixhitale, strukturat prodhuese përfitojnë nga zgjerimi i zinxhirit të vlerës duke synuar rritjen e eksporteve.

Dinamika e krijuar në këto angazhime ka kontribuar fort në përmirësimin e bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë në rajon. Fokusi i këtij procesi qëndron qartësisht në nxitjen e mëtejshme të konektivitetit në termat e transportit, energjisë dhe marrëdhënieve midis njerëzve.
Për mbështetjen e ndërlidhjes në energjetikë dhe transport rol të rëndësishëm luajnë edhe të ashtuquajturat “masa të buta”, zbatimi i të cilave është shumë i rëndësishëm për energjinë e integruar dhe rrjetet e transportit.

Në mbarëvajtjen e këtyre angazhimeve, mbështetja e Komisionit Europian, Observatorit të Transportit të Europës Juglindore dhe Sekretariatit të Energjisë ka qenë dhe do të jetë e vazhdueshme për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ky udhëzues për kumulimin e plotë dhe parimin e tërheqjes nga detyrimet doganore përshkruan mundësitë që, sipas Vendimit të CEFTA-s, do të përdoren mes palëve të CEFTA-s.

Duke qenë se kumulimi i plotë është më pak kufizues dhe ka rregulla më elastike sesa kumulimi dypalësh e diagonal që janë më të përhapur, ai lejon ndarjen e produkteve brenda territorit të MTL-së, një fragmentim më të madh të procesit të prodhimit dhe mund të sjellë përfitime nga transaksionet e biznesit dhe nxitje më të madhe të tregtisë. Në përfundim, kjo mund të çojë në zgjerimin e tregtisë në zonë.

Udhëzuesin në fjalë e gjeni në këtë link.

 

Me respekt,

 

Oda Ekonomike e Kosovës

Publikuar më 08.10.2019