FIllon Panairi i Agrobiznesit organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës

FIllon Panairi i Agrobiznesit organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka organizuar Panairin e radhës të  Produkteve Bujqësore, Agroindustriale dhe Tregtisë Inverse “Prishtina 2018’’, në të cilin po marrin pjesë 36 kompani vendore dhe një nga Italia. Qëllimi i këtij panairi është që të promovohen dhe ekspozohen produktet e këtyre kompanive dhe rritjen e vetëdijësimit të qytetarëve për produktet vendore.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi,  tha se ky edicion i panairit e ka një rëndësi të vëçantë për shkak të një momentumi të ri të krijuar ku kemi një ngritje të vetëdijës për potencialin ekonomik të vendit tonë.

“E ka një rëndësi të veçantë për shkak të një momentumi të ri që është krijuar ku kemi një ngritje të vetëdijës për ekonominë tonë. Këto ditë do ta shfaqim potencialin e ekonomisë të cilën e kemi zhvilluar me shumë mund. Mirëpo besoj që me përpjekje të të gjithë akterëve do ta avancojmë duke pasur në fokus prodhimin dhe eksportin. Qëllimi tjetër  është shumë i rëndësishëm që të tregojmë që nuk jemi të varur më nga vendet që kemi importuar”, tha Rukiqi.

I pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj i cili bëri thirrje që taksa 100 për qind të mos shihet si një rast për të përfituar nga ngritja e çmimeve.

“Ne qëllimin e kemi zëvendësimin e produkteve të importuara me produktet tona. Taksa 100 për qind nuk duhet të shihet si një rast për të përfituar nga ngritja e çmimeve,por, për të rritur prodhimin dhe cilësinë e prodhimeve vendore”, porositi Haradinaj.

Nga ana e tij, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se janë të duke punuar për të siguruar treg jashtë vendit për prodhimet vendore.

“Me qëllim të promovimit të produkteve kosovare dhe produkteve të tyre brenda vendit, rajonit dhe më gjerë si dhe vetëdsijësimit të konsumatorit mbi për përmbajtjen e shportës ditore ju ftoj t’i shfrytëzoni potencialet dhe kapacitetet tuaja me qëllim të ofrimit të shërbimeve për qytetarë. Ky panair vë në pah vlerat tradicionale, veçoritë dhe karakteristikat e secilit prodhim, të cilat në diversitetin tonë na bashkojnë dhe na bëjnë produktin “Made in Kosova” ta ndjejmë dhe ta kemi të përbashkët. Në kuadër të kësaj jemi duke punuar për të siguruar treg jashtë vendit”, përfundoi Shala.

Publikuar më 03.12.2018