Nënshkruhet marrëveshja për themelimin e Odës Bilaterale në mes të Kosovës dhe Shqipërisë

Nënshkruhet marrëveshja për themelimin e Odës Bilaterale në mes të Kosovës dhe Shqipërisë

Pas ceremonisë së nënshkrimit të themelimit të Odës bilaterale Kosovë - Shqipëri, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se qëllimi i Odës së përbashkët do të jetë në funksion të rritjes së këmbimeve tregtare të të dyja vendeve si dhe nxitjes së investimeve reciproke.

“Shumë raste kemi parë  që ka ankesa të vazhdueshme për nivelin e këmbimeve tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Një ndër rolet kyçe të Odave është që të ndikojmë në rritjen e këmbimeve tregtare në mes të vendeve të caktuara dhe në të njejtën kohë të ndikojmë në rritjen e investimeve reciproke. Ky do të duhej të ishte qëllimi themelor dhe në rastin e themelimit të kësaj Ode e kemi konfirmuar këtë, pra, që të ndikojmë në rritjen e këmbimeve tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë dhe në të njejtën kohë të identifikojmë dhe pastaj edhe të zbatojmë projekte të rëndësishme. Ajo që është për keqardhje është fakti që në mes të Kosovës dhe Shqipërisë ka shumë barriera jotarifore. Mbledhja e sotme e qeverive ka arritur t'i diskutoj disa pej tyre mirëpo ende mbetet shumë punë. Nuk është që nuk ka vullnet politik mirëpo nuk po shfrytëzohet një momentum i cili do të ndikonte pozitivisht në trajtimin e këtyre bareierave”, tha kreu i OEK-ut.

Në anën tjetër, Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa tha se besojnë se ky institucion do të rrisë bashkëpunimin e ndërmarrjeve si dhe do të rrisë lobimin tek të dyja qeveritë rreth barrierave me të cilat përballen ato.

“Sot ishte një moment shumë i rëndësishëm për dy Odat tona dhe së paku pas dy vjet pune të përbashkët arritëm të kurorëzojmë këtë marrëveshje bashkëpunimi lidhur me krijimin e Odës së përbashkët ekonomike Shqipëri-Kosovë. Është një institucion që ne besojmë që do të jap një rilançim të bashkpunimit në mes të sipërmarrjeve të dy vendeve tona, të cilat patjetër që kanë nevojë në këtë moment të zhvillohen akoma më tej dhe përveç faktorit të promovimit që është dhe një nga misionet tona do të sigurojmë akoma më tepër mbështetjen e këtyre sipërmarrjeve dhe  garantojmë edhe lobimin tonë tek dy qeveritë”, tha ajo.

Objektivat e Odës Ekonomike Bilaterale Shqipëri-Kosovë do të përmbushen përmes një strukture drejtuese funksionale, të udhëhequr nga Kryetari dhe Këshilli Ekzekutiv, i cili përbëhet nga anëtarë të zgjedhur nga sektorët me të rëndësishëm të ekonomisë në të dyja vendet. Kjo Odë do të kryesohet me rotacion, ku një vit do të udhëhiqet nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, ndërsa një vit nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Publikuar më 26.11.2018