Klima e biznesit në Kosovë - jo e favorshme në tremujorin e dytë të vitit 2018

Klima e biznesit në Kosovë - jo e favorshme në tremujorin e dytë të vitit 2018

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka mbajtur sot konferencën e rradhës për media ku prezantoi Indikatorin matës të tendencës në biznes për tremujorin e dytë të vitit 2018 dhe gjithashtu ngriti shqetësimin lidhur me rritjen e numrit të grabitjeve në biznese.

Indikatori matës i tendencës në biznes i cili ndryshe njihet si IFO indikatori ofron vlerësim të gjendjes së përgjithshme ekonomike në vend dhe  jep informacione për gjendjen aktuale, pritshmëritë dhe zhvillimet ciklike në ekonomi në sektorin e ndërtimit, shërbimeve, prodhimit dhe tregtisë.

Kryetari Rukiqi gjatë konferencës përmendi se në çdo indikator të matur ka ulje të kënaqëshmërisë së bizneseve dhe ulje të pritshmërive për 6 mujorin e ardhshëm që nënkupton përkeqësim të gjendjes së bizneseve. Trendet janë negative sa i takon edhe pritjeve për punësim dhe aktivitetit biznesor e poashtu edhe klima e biznesit paraqitet të jetë jo aq e favorshme krahasuar me tremujorin paraprak. Besueshmëria e bizneseve nga ana tjetër ka treguar trend në rënie në këtë tremujor, duke përfaqur mundësi dukshëm më të vogla ose inekzistente për investime dhe zhvillim të tyre.

Sa i takon gjendjes aktuale, sektori i ndërtimit në vend ka pasur vlerësimet më të mira pasuar nga sektori i shërbimeve, ndërsa sektori i tregtisë ka vlerësimet më negative sa i takon gjendjes së biznesit për tremujorin e dytë të vitit 2018.

Kryetari Rukiqi foli edhe për barrierat e të bërit biznes ku prezantoi se konkurrenca jo lojale paraqitet të jetë barriera më e madhe për tremujorin e dytë të vitit 2018 pasuar nga mungesa e mjeteve financiare dhe ekonomia joformale.

Rukiqi gjithashtu ngriti shqetësimin lidhur me faktin që ekonomia e Kosovës që nga tremujori i tretë i vitit 2017 deri në këtë tremujor ka humbur 24,100 vende të punës, bazuar në statistikat e nxjerra nga Agjencioni i Statistikave në Kosovë.

Publikuar më 01.10.2018