Oda Ekonomike e Kosovës e përkushtuar për thellimin e partneritetit me institucionet në funksion të zhvillimit ekonomik

Oda Ekonomike e Kosovës e përkushtuar për thellimin e partneritetit me institucionet në funksion të zhvillimit ekonomik

Presidenti i Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi ka vizituar sot Odën Ekonomike të Kosovës për të uruar zgjedhjen e Kryetarit të ri z. Berat Rukiqi dhe organeve të reja drejtuese të Odës Ekonomike. Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësues të bizneseve të rëndësishme nga sektorë të ndryshëm.

Gjatë bashkëbisedimit të hapur, është theksuar rëndësia e thellimit të partneritetit mes institucioneve dhe bizneseve si parakusht për zhvillimin ekonomik.

“Takim i sotëm është një vazhdim i një komunikimi që kemi pasë, një komunikimi ku roli i presidentit në kuptim të zhvillimit ekonomik është më i kufizuar, por sigurisht është një garancë e funksionimit të institucioneve.  Kjo e ka një rëndësi të veçantë, sepse një funksionim i mirë i institucioneve është parakusht për zhvillimin ekonomik.”ka pohuar Kryetari Rukiqi.

Kryetari Rukiqi gjithashtu deklaroi se komuniteti i biznesit është falenderues  për rolin e institucioneve të vendit në procesin e liberalizimit të vizave, një proces që do ti ndihmoj shumë integrimit të ekonomisë sonë në tregjet ndërkombëtare sidomos në relacion me vendet e Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër, Presidenti Thaçi theksoi se gjithnjë ka qenë i përkushtuar që të ruhet partneriteti mes institucioneve dhe bizneseve, si kusht për sukses të shtetit të Kosovës, për krijimin e kushteve më të mira, më atraktive për biznes, por edhe për sjelljen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Në takimin e sotëm u fol edhe për procesin e Dialogut Kosovë – Serbi dhe në këtë drejtim OEK bashkë me komunitetin biznesor inkurajon institucionet për përmbylljen e këtij procesi i cili do të krijonte një parakusht për stabilitet afatgjatë të vendit, stabilitet i cili është i rëndësishëm në kuptim të partneriteteve me investitor të huaj dhe lidhet ngushtë me imazhin e vendit.

 

Publikuar më 02.08.2018