Oda Ekonomike e Kosovës i ka ndarë mirënjohje kompanisë

Oda Ekonomike e Kosovës i ka ndarë mirënjohje kompanisë "Royal Dutch Shell"

Oda Ekonomike e Kosovës i ka ndarë mirënjohje kompanisë "Royal Dutch Shell", për kontribut në zhvillimin ekonomik, përmirësim të imazhit dhe promovimin e Kosovës përballë investitorëve të huaj.

“Shell”, ka nënshkruar para pak muajsh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë kosovare të derivateve “Al Petrol”, për hapjen e pikave të saj të shitjes së derivateve në Kosovë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se po e nderojnë një kompani që ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Ai e  ka thënë se prezenca e një brendi botëror si “Shell” ka rëndësi të madhe për ekonominë, perspektivën evropiane dhe promovimin e Kosovës si shtet me mundësi për investime të huaja.

“OEK vendos qe për kontributin e dhënë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, ne përmirësimin e imazhit dhe perceptimin pozitiv për Kosovë të nderoje Shëllin me mirenjohje e cila i ka bërë nderë të veçantë Kosovës. Ka rëndësi në aspektin ekonomik, evropian, integrues dhe mbi të gjitha në aspektin e promovimit të Kosovës si vend ku ka mundësi për të investuar dhe është një besueshmëri për bizneset që shfaqet nga ‘Al Petrol’, e cila ka një numër të madh të të punësuarve dhe pikave të derivative.Këto të dhëna dëshmojnë për reputacionin e ‘Shellit’ dhe besoj se prania e tij do të jetë mesazh për brendet tjera, si Mercedes, që t’ia mësyjnë Kosovës se ka mundësi për investime. Është krenari kur të huajt vijnë në Kosovë, ‘Shell’ ka nevojë për mbrojtje. Besoj që krahas promovimit do të ketë kampanja që një brend i tillë të mos cenohet për shkak të interesave të ngushta”, tha Gërxhaliu.

Menaxheri i kompanisë “Shell” për Evropën Juglindore, Wim Riegman, u shpreh se janë të nderuar dhe krenar që përpos në 80 shtete të botës, shesin derivatet e tyre kualitative edhe në Kosovë.

Ai vlerësoi se prezenca e tyre i ndihmon zhvillimit të ekonomisë së Kosovës, derisa bashkëpunimin me Al Petrolin e vlerësoi si shumë të rëndësishëm.

“Jemi të nderuar që jemi në Kosovë, i shesim derivatet tona kualitative në 80 vende të botës dhe jemi shumë krenar që jemi në tregun e Kosovës. Tani mund të shesim derivate kualitative.Këtë e shohim si fillim i partneritetit tonë në Kosovë.Këtë e shohim si hap të mire për ekonominë e Kosovës. Jemi duke punuar ngushtë me z.Latifi dhe jemi shumë të kënaqur me rezultatet e para. Jemi shumë krenar që jemi prezent në Kosovë”, tha Riegman.

Nga ana e tij,  pronari i “Al Petrol”, Latif Kryeziu, tha se me ardhjen e “Shell”, Kosova i ka hequr brengat për furnizim me derivate cilësore dhe se janë hapur dyert për investitorët e tjerë.

"Ne mburremi me aktivitetin e Odës që është gjithmonë në përkrahjen tonë, siç është rasti sot që i ndan mirënjohjen Shellit. Ne këtu në Kosovë kemi një brend më të mirin dhe më këtë i ka larguar brengat për cilësinë e derivateve. Me ardhjen e brendit më të njohur ne kemi ndihmuar edhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Tash i kemi hapur dyert edhe investitorëve të huaj që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Me këtë kemi kontribuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës", tha Kryeziu.

Publikuar më 04.07.2018