Raportet e mira politike me Pakistanin t’i shfrytëzojmë për avancim të bashkëpunimit ekonomik

Raportet e mira politike me Pakistanin t’i shfrytëzojmë për avancim të bashkëpunimit ekonomik

Odën Ekonomike të Kosovës e vizitoi ambasadori i Pakistanit në Ankara, përgjegjës për Kosovën, z. Muhammad Syrus Sajjad Qazi, i cili u prit nga kryetari i OEK-ut z. Safet Gërxhaliu dhe u bisedua për bashkëpunimin ekonomik në mes të dy shteteve mike dhe mundësive të  avancimit të këtyre raporteve.

Na gëzon fakti që me Pakistanin kemi raporte të mira politike, por është koha kur duhet të jemi më aktiv në forcimin e lidhjeve ekonomike për arsye të shumta, qoftë politike, strategjike, sociale, kulturore, etj. Pakistani ka një fuqi demografike dhe pozita gjeografike e Pakistanit është mjaft e rëndësishme që Kosova ekonomikisht të jetë më afër këtyre zhvillimeve.

Lënda e parë, sektori i tekonologjisë informative, përpunimi i drurit, përpunimi i prodhimeve bujqësore, edukimi, farmaceutika janë sektorë ku Pakistani është lider, por edhe mundësi për Kosovën, theksoi kryetari Gërxhaliu.

Ambasadori z. Sajjad Qazi, shprehi falenderimet e tij për mikëpritjen e bërë në Kosovë dhe për një ngrohtësi humane që ka hasur ta gjejë. Interesat e Pakistanit janë që të avancojë bashkëpunimin ekonomik me Kosovën dhe në këtë drejtim do të keni mbështetjen time personale, por edhe të ambasadës që e drejtojë. Ftojë bizneset dhe institucionet nga Kosova, udhëhequr nga Oda Ekonomike e Kosovës të vizitojnë Pakistanin dhe të kontaktojnë me biznese të Pakistanit me qëllim të shpërndarjes së informacioneve lidhur me potencialet që ka Kosova, por edhe për aspektin e pozicionimit të saj strategjik në Ballkanin Perendimor dhe Evropë. Në vecanti, të informohen për partneritetin e Kosovës me BE-në, SHBA, Zvicrën dhe vendet tjera me të cilat Kosova ka lehtësira të eksportit.

Publikuar më 02.07.2018