Oda Ekonomike e Kosovës organizoi Forumin Ekonomik në mes të Kosovës dhe Malit të Zi

Oda Ekonomike e Kosovës organizoi Forumin Ekonomik në mes të Kosovës dhe Malit të Zi

Ekonomike e Kosovës organizoi Forumin Ekonomik në mes të Kosovës dhe Malit të Zi

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Oda Ekonomike e Malit të Zi kanë organizuar Forumin Ekonomik Kosovë – Mali i Zi. Në këtë Forum ishin prezente afro 28 kompani malazeze  të sektorëve të ndryshme, Dogana dhe Administrata Tatimore, përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Financave të Malit të Zi si dhe përfaqësues të agjencisë për promovim të investimeve nga ky shtet. Nga Kosova ishin të pranishme biznese vendore si dhe përfaqësues nga institucione të ndryshme të shtetit.

Kryetari i OEK, Safet Gërxhaliu tha se bashkëpunimi mes Odës Ekonomike të Kosovës dhe Malit të Zi duhet të jetë shembull edhe për institucionet tjera në vend.

“Këmbimi tregtar, lëvizja e qytetarëve, investimet në infrastrukturë dhe turizmi janë aktivitetet që i karakterizon raportet me Malin e Zi. Me Odën Ekonomike të Malit të Zi kemi një bashkëpunim që duhet të jetë shembull edhe për institucionet tjera. Bashkëpunimi ekonomik me Malin e Zi nuk duhet të shikohet si bashkëpunim konkurrues, por së bashku duhet të gjejmë forma të bashkëpunimit që ekonominë tonë ta shtrijmë edhe në vendet tjera. Sa i përket këmbimit tregtar, bilanci është pozitiv dhe duhet të punohet që edhe më shumë të rrisim bashkëpunimin”, tha Gërxhaliu.

Ai tha se marrëveshja që nënshkruhet sot në mes të Ministrisë së Infrastrukturës të Kosovës dhe asaj të Malit të Zi do të ndikojë pozitivisht në ekonominë e dy vendeve.

“Sot nënshkruhet një marrëveshje me ministrinë e Infrastrukturës mes Kosovës dhe Malit të Zi për eliminimin e barrierave kufitare që ndikon pozitivisht në ekonominë e dy vendeve. Raportet e mira politike të shndërrohen në favore të mira ekonomike”, tha ai.

Ivan Saveljiç, nënkryetar i Odës Ekonomike në Malin e Zi tha se është me rëndësi që bashkëpunimi mes dy vendeve të vazhdojë.

“Duhet t’i identifikojmë sfidat dhe të gjejmë zgjidhje që t’i tejkalojmë. Shtetet tona janë të interesuara për fuqizimin e subjekteve ekonomike. Sot kemi pasur rastin që në bisedën me Ministrin e Financave të dëgjojmë rrëfim për bashkëpunim të fuqishëm për Malin e Zi dhe Kosovën”, tha Seveljiç.

“Ne vërtet nuk jemi konkurrent në rajon dhe duhet të krijojmë lidhje që të përmirësojmë ekonominë. Kosova është partner ekonomik i rëndësishëm për Malin e Zi. Ne mund të bashkëpunojmë në energji, turizëm dhe të tregojmë që të dyja vendet jemi të gatshëm për bashkëpunim ekonomik”, tha ai

Gazmend Abrashi, koordinator Rajonal i Zyrës së kryeministrit, tha se lidhja ekonomike e dy vendeve është e rëndësisë së veçantë.

“Unë e përkrahi marrëveshjen që do ta nënshkruajmë ditëve të ardhshme lidhur me policat e sigurimit. Numrat tregojnë që disponimi është i mirë për bashkëpunim”.

Branislav Todoroviç,  sekretar shtetëror në  Ministrinë  së Financave të Malit të Zi,  tha se të dy vendet janë të përkushtuara që të heqin barrierat ekonomike.

“Ne kemi tregje të vogla dhe gjeografikisht jemi të drejtuar nga njeri-tjetri. Ne kemi pasur takim me ministrin e Financave dhe kemi shprehur gatishmërinë se duhet të heqim barrierat mes dy vendeve”, tha Todoroviç.

Publikuar më 27.06.2018