Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu me bashkëpunëtorë ka vizituar kompaninë “Air Energy”

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu me bashkëpunëtorë ka vizituar kompaninë “Air Energy”

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu me bashkëpunëtorë ka vizituar kompaninë “Air Energy”, me seli në  fshatin Kikë, komuna e Kamenicës , me ç`rast sot filloi edhe vendosja e nëntë turbinave me kapacitet 3.6MGW për prodhimin e energjisë nga era.

“Air Energy” është kompani  orientuar në shfrytëzimin e burimeve të energjisë alternative e në veçanti energjisë me erë.

Ai pas takimit me krerët e kompanisë tha se projektet e tilla janë të rëndësishme për vendin, qoftë në aspektin ekonomik por edhe të plotësimit të kritereve për energjinë e alternative.

Gërxhaliu u bëri thirrje institucioneve që të punojnë më tepër në mënyrë që të krijojnë kushte për investime të tilla nga investitorët e huaj.

“Ky investim ka rëndësi sepse përveç aspektit ekonomik e cila është 50 milionë euro investim e cila posedon teknologjinë më moderne dhe përveç kësaj po bëhet një partneritet me kompaninë Gyrish. Ajo çka duhet të bëhet më tepër nga institucionet është që projektet e tilla të promovohen dhe barrierat të zvogëlohen paraprakisht”.

“Dua të apeloj që kompanitë e tilla të mbështeten dhe të mos përcillen me barriera. Nga kjo nuk do të ketë vetëm përfitime ekonomike, por falë këtij projekti do të promovohen investimet e huaja. Që t’i kemi investitorët e huaj duhet të eliminohet burokracia. Fillimi implementimit të këtij projekti do të jetë një hap që do të kthej imazhin e vendit”.

Tuncer Baltaci, menaxheri i projektit, tha se Kosova ka potenciale për investime në sektorin e energjisë së erës.

“Jeni të lumtur që po investojmë projektin e parë për energji me erë. Njerëzit këtu na kanë ndihmuar shumë. Janë disa rregulla për ti mbështetur investimet e huaja. Këtu është një regjion i mirë që ka erë të mjaftueshme dhe për tërë Kosovën energjia e erës do të jetë shumë mundësi e mirë”, tha Baltaçi nga “Air Energy”.

Ibrahim Anameriç, anëtar i bordit të kompanisë “Gyrish”, tha se në fillim nuk kanë qenë të njoftuar për procedurat që duhet ndjekur për të investuar.

Sipas tij, nëse punët shkojnë ashtu siç duhet brenda pak muajve do të fillohet edhe me prodhimin e energjisë.

Ai bëri me dije që do të vazhdojnë me investime të tilla në rast se iu ofrohen mundësi dhe plotësohen kushtet që kërkojnë.

Edhe pronari i kompanisë "Eurometal", Njazi Musliu tha se projekti ka rëndësi multi sektoriale. "Ky projekt ka shumë rëndësi për Kosovën dhe sektorin privat. Ne si kompani e përpunimit të metaleve jemi të gatshëm të japim kobtributin tonë. Ne i kemi parakushtet për të qenë pjesë e projekteve të tilla që kanë rëndësi për Kosovën dhe zhvillimin ekonomik për hapjen e vendeve të reja të punë. Institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë që të kemi investime të jashtme dhe të brendshme si bazamente për të pasur një shtet më të zhvilluar ekonomikisht", tha Musliu.

Kompania Turke "Gyrish" nga Turqia ka bërë investimin me ndërtimin e parkut energjetik "KITKA" - me kapacitet 32.4 MGW ku vlera e deritanishme arrin shumën prej 50 milionë Euro që ka bërë të mundur vendosjen e nëntë turbinave me kapacitet 3.6 MGW për njësi.

Këto turbina janë prodhuar nga kompania prestigjioze General Electric nga SHBA - Dega në Gjermani.

Kapaciteti vjetor i këtyre turbinave është 100 milionë KW në orë, ndërsa Qeveria ka siguruar tarifën mbështetëse për 12 vitet e ardhshme, çmimi shitës do të jetë 8.5 cent/KW orë, duke u mundësuar që të punojnë 20 punëtorë me kontrata të rregullta.

Ndërtimi ka filluar në vitin 2008 dhe janë kryer punimet kryesisht nga kompanitë vendore qe ka bërë të mundur të jenë të angazhuar rreth 200 punëtorë gjatë procesit të ndërtimit me një kosto financiare rreth 10.000.000 euro. Ky projekt do të vazhdojë të zgjerohet edhe në komuna të tjera në qoftë se do të ketë mbështetje institucionale vendore edhe ndërkombëtare.

Publikuar më 30.05.2018