OEK ndan mirënjohje për ndërmarrjen “Vali Ranch”

OEK ndan mirënjohje për ndërmarrjen “Vali Ranch”

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), ndau mirënjohje për ndërmarrjen “Vali Ranch”, gjegjësisht për pronarin Fehmi Fetahu, për kontributin e dhënë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, promovimin e vlerave të ndërmarrësisë vendore, promovimin e investimeve të diasporës si dhe në permirësimin e imazhit të Kosovës në përgjithësi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik të vendit pa involvimin e diasporës.

“Kjo njohje i jepet njërit prej biznesmenëve më të suksesshëm në Kosovë që jeton dhe vepron në Zvicër. Si mund të kemi zhvillim ekonomik pa kontributin e diasporës. Për diasporën të bëjmë më tepër sesa të pyesim se çka bën diaspora për Kosovën”.

“Është zoti Fehmi me zonjën e tij Rita që me mund dhe me punë të palodhshme bën investime në Kosovë duke krijuar kompaninë” Vali Ranch”, e cila ka dhënë kontribut të pakontestueshëm social. Ky njeri ka  qenë i palodhshëm në promovimin e vlerave të Kosovës dhe kombit, ka gjetë kohë me qenë solidar aty ku ka qenë nevoja. Atë më të voglën që ka bërë Oda Ekonomike e Kosovës për Fetahun është një mirënjohje e vogël”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai tha se kjo mirënjohje le të jetë mesazh ndaj diasporës që Oda Ekonomike e Kosovës është me diasporën.

“Le të jetë kjo një shenjë ndaj diasporës, dhe një mesazh që OEK është e diaporës dhe është me diasporën, kam nder të veçantë të jua dorzoj këtë”, ka shtuar ai.

Ndërsa Fehmi Fetahu, pronar i ndërmarrjes “Vali Ranch”, tha se është nder i madh që OEK vlerëson punën e diasporës dhe investimet që po bëhen në Kosovë.

“Është kënaqësi që dikush vlerëson punën e diasporës, vlerëson mundin dhe investimet që bëhen në Kosovë, pa investime të diasporës, pa afrim të diasporës Kosova e ka vështirë. Dua të falënderoj kryetarin e Odës Ekonomike, Safet Garxhaliu që i ka ra ndër mend të vlerësoj punën time”, ka thënë Fetahu.

Ai bëri thirrje që të investohet sa më shumë në Kosovë edhe përkundër sfidave që paraqiten, por që sipas tij me mund arrihet gjithçka.

“Sfida për investime ka shumë është normale, vështirë nuk është me investu në Kosovë, ai që ka vullnetin e mirë nuk është vështirë, me mund ia del të gjitha. I thërras të gjithë, ejani investoni në Kosovë edhe pse ka sfida ”, ka shtuar ai.

Publikuar më 11.05.2018