OEK-u në mbështetje të propozimeve të AUV-it për ngritje të kompetencave  dhe kapaciteteve implementuese

OEK-u në mbështetje të propozimeve të AUV-it për ngritje të kompetencave dhe kapaciteteve implementuese

Kryetari i OEK-ut z.Safet Gërxhaliu, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm z.Parim Bajrami vizituan Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinës dhe u pritën nga Kryeshefi Ekzekutiv i këtij Agjencioni z.Valdet Gjinovci. Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja më për së afërmi me punën dhe aktivitetet e këtij Agjencioni, me theks të veçantë informimi rreth sigurisë dhe cilësisë së produkteve të importuara me origjinë shtazore, dhe aferën e ngritur rreth importit të mishit belg.

Z.Gjinovci, duke falenderuar zyrtarët e OEK-ut për qasjen e tyre profesionale dhe institucionale për t’u informuar objektivisht nga burimet kompetente, informoi zyrtarët e lartë të OEK, se AUV-i në bazë të mandatit të vetë ligjor është duke kryer kontrollin dhe monitorimin e produkteve ushqimore duke siguruar se produktet ushqimore ne tregun kosovar janë të sigurta dhe shëndetshme për konsumator.

Z.Gjinovci potencoi se afera e mishit të prishur (20 tone mish me afat të skaduar) është identifikuar nga vet Agjencioni para 2 vitesh, me ç’rast i njejti është asgjësuar dhe jane njoftuar të gjitha autoritetet kompetente në Belgjikë dhe gjetiu. Edhe pas ekspertizës së kryer nga autoritetet belge, janë rikonfirmuar gjetjet e AUV-it.

Me tutje Kryeshefi Ekzekutiv i AUV-it theksoi se AUV-i ka gjithsejt 10 inspektorë veterinar të cilët duhet të kryejnë shërbime në 36 komuna të Kosovës. Ky staf është i pamjaftueshëm sepse fushëveprimi i këtyre inspektorëve  është shumë i gjerë ndërsa AUV-i ka një staf të kufizuar dhe të pamjaftueshëm. Në të njejtën kohë inspektimin nëpër Komuna të Kosovës e bëjnë inspektorët komunal të cilët nuk janë pjesë e AUV-it dhe është rekomandim i raporteve të komisionit evropian dhe donatorëve te jashtëm se inspektoret komunal duhet  inkorporohen në kuadër të AUV-it.

Zyrtarët e OEK-ut dhe Kryeshefi i AUV u pajtuan që Agjencionit duhet ngritur kapacitetet e mjaftueshme me resurse humane, në mënyrë që numri i inspektorëve të jetë konform standardeve evropiane, dhe në të njejtën kohë AUV-it t’i jepet mandati ligjor për menaxhim dhe me inspektorët komunal.

Përfaqësuesit e OEK-ut, kërkuan nga Kryeshefi Ekzekutiv i AUV-it, informacion me kohë dhe transparencë për të gjitha gjetjet jo konforme të produkteve ushqimore, sepse konsumatorëve duhet të ju garantohet konsumimi i produkteve cilësore dhe siguri e plotë shëndetësore e këtyre produkteve, dhe për këtë përgjegjësia kryesore bie mbi AUV-in.

Në anën tjetër Kryetari i OEK-ut z. Safet Gërxhaliu, u zotua se OEK në kuadër të përgjegjësisë ligjore që ka, do sensibilizojë bizneset anëtare dhe bizneset tjera të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë apo përmes ndikimeve tjera në zingjirin e vlerës së produkteve ushqimore, të ndërgjegjësohen dhe t’i kryejn obligimet e tyre të vetëkontrollit dhe marrjes së veprimeve të cilat janë të parapara me Ligjin e Ushqimit, dhe ligjet tjera në fuqi të cilat e mbulojnë këtë fushë. 

OEK nuk do përkrahë asnjë operator ekonomik i cili në mënyrë të qëllimshme plason në treg produkte të pa sigurta dhe me cilësi të dyshimtë, me ç’rast për përfitime personale rrezikojnë shëndetin dhe jetën e qytetarëve.Vetem duke u mobilizuar të gjithë, mundemi të kontribojmë dhe të evitojmë çfardo mundësie manipulative të grupeve të caktuara të interesit të cilat tentojnë që përmes rasteve të caktuara të plasojnë informata të pa verifikuara të cilat shkaktojnë lajthitje tek konsumatorët për sigurinë dhe cilësinë e produkteve të cilat konsumojnë, dhe në të njëjtën kohë dëmtojnë imazhin dhe afrizmin e operatorëve të përgjegjshëm të cilët operojnë sipas rregullave në fuqi.

 

Publikuar më 28.03.2018