Masat e reja fiskale ndikuan në forcimin e sektroit prodhues

Masat e reja fiskale ndikuan në forcimin e sektroit prodhues

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), ka prezantuar rezultatet e studimit rreth barrierave dhe mundësive të sektorit prodhues në vend për tremujorin e katërt 2017.

Raporti vë në pah se masat e reja fiskale ndikuan në forcimin e sektorit prodhues.

Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK-ut, tha se zvarritja e miratimit të marrëveshjes për demarkacionin për tri vjet do të ketë pasoja në të ardhmen në ekonominë e vendit.

 “Jemi dëshmitar të një aktualiteti të ngjeshur politik. Ka qenë humbje 3 vjeçare për demarkacionin e që pasojat do të shihen në të ardhmen”.
Gërxhaliu foli edhe për kriterin tjetër që BE i ka caktuar Kosovës për të hequr vizat. Ai bëri apel te BE-së që kjo të mos jetë kriter për liberalizim ngase sipas tij, po pësojnë qytetarët. 
“Si Odë apelojmë tek shtetet e BE- së që të mos merret lufta kundër krimit dhe korrupsionit si kriter për heqjen e vizave sepse kështu do të pësojnë vetëm qytetarët dhe jo grupet e kriminalizuara”.

Ai  tha se taksa për autostradën që lidh Kosovën me Shqipërinë është e lartë, prandaj sipas tij kjo rrugë nuk meriton të quhet “Rruga e kombit”. 

“Ne kemi kundërshtuar taksën për autostradën sepse është shumë e lartë. Si odë mund të themi se barrierat në Shqipëri janë shtuar të cilat mendojmë që janë për shkak të grupeve të interesit. Me këtë hap rruga e kombit nuk e meriton të jetë rrugë e kombit por mund ti themi rrugë e përfitimeve të kompanisë‘Kastrati’”.

Kurse sa i përket skandalit të mishit, ai tha se duhet që të forcohet sundimi i rendit dhe ligjit dhe të mos lëmë ekonominë e kriminalizuar të na përcjellë.
Kur foli për raportin ai tha se 61 për qind të kompanive të prodhimit  presin që të rrisin punësimin ndërsa 69 për qind e kompanive të shitjes me pakicë presin që punësimi të mbetet i njëjtë.

“61 për qind të kompanive të prodhimit  presin që të rrisin punësimin ndërsa 69 për qind e kompanive të shitjes me pakicë presin që punësimi të mbetet i njëjtë, çka tregon që pritjet për punësim janë më të mëdha se ato për dështim. 79 për qind e kompanive presin që situata të ndryshoj”.

“Kompanitë prodhuese kanë treguar se nuk kanë problem në mbajtjen e stoqeve. Sa i përket ndryshimit të çmimit, vetëm 14 për qind e tyre kanë deklaruar se çmimet janë rritur ndërsa 11 për qind të tyre kanë treguar se i kanë ulur çmimet”.
Por sipas tij, shqetësuese është rritja e importit nga Serbia dhe mospërputhja e të dhënave mbi bilancin tregtar.
“Sa i përket eksporteve ne kemi bërë analiza dhe kemi vërejtur se statistikat nuk përputhen. Është një diskrepancë në mes të asaj që lajmërohet si eksport dhe asaj që vërtetë eksportohet që neve po na  sfidon. Duam të dimë se sa është vlera e vërtetë e eksporteve të Kosovës. Po mendojmë a mos është dikush që po punon me dokumente të dyfishta. Neve na ka alarmuar rasti kur Serbia lajmëron rritje të importeve nga Kosova për 65 për qind ndërsa ne doganën e Kosovës shifrat janë për 3 herë më të ulëta”.
Kompanitë prodhuese sipas raportit janë optimiste, gjysma e tyre presin që eksportet të rriten për 20 për qind.

“Ajo çka është me rëndësi është se kompanitë prodhuese janë shumë optimiste. Gjysma e tyre presin që eksportet të rriten për 20 për qind. Shkalla e shfrytëzimit të kapaciteteve krahasuar me vendet e rajonit është mjaftë e ulët sa i përket kompanive prodhuese”.
“Barrierat e sektorit të prodhimet janë kostoja e punës me 14 për qind,  qasja në financa konsumatorët nuk paguajnë me kohe, kamatat e larta bankare, vështirësi në marrjen e kredive që i godet 20 për qind të kompanive si dhe mosfurnizimi i rregullt me energji elektrike. 51 për qind të tyre shprehen se nuk ka forma alternative të financimit të projekteve”, përfundoi Gërxhaliu.

Publikuar më 28.03.2018